UBT News

​SHBA e zhgënjyer me vendimin e Kosovës për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri

Qeveria amerikane ka shprehur zhgënjimin nga “veprimet e njëanshme, të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ndaj degëve të postës serbe në veri të Kosovës.”

Në një deklaratë të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë në Facebook, thuhet se “veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë në rrezik më të madh qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë pa qenë nevoja tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.”

“Ne i kërkojmë Qeverisë së Kosovës të ndërpresë veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, përfundon deklarata.

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në objektet e Postës së Serbisë në veri, pas një informate të pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe të paregjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Me këtë rast janë identifikuar dhe mbyllur nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale./UBTNews/

Exit mobile version