Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën se administrata e Bidenit synon të vazhdojë përpara me planin e saj për të rihapur konsullatën e Jerusalemit që ishte tradicionalisht e angazhuar me palestinezët, pavarësisht kundërshtimeve.
Blinken përsëriti një premtim të dhënë muaj më parë për rivendosjen e konsullatës, e cila kishte qenë prej kohësh një bazë për komunikim diplomatik me palestinezët para se të mbyllej nga Donald Trump më 2018.
Por ai nuk vendosi një datë për rihapjen e konsullatës, e cila do të tensiononte marrëdhëniet me qeverinë e re të Izraelit.
“Ne do të ecim përpara me procesin e hapjes së një konsullate si pjesë e thellimit të atyre lidhjeve me palestinezët”, tha Blinken në Departamentin e Shtetit.
Administrata e Biden ka kërkuar të riparojë marrëdhëniet me palestinezët që u dëmtuan rëndë nën administratën e Trump.
Administrata e Biden thotë se do të rihapë konsullatën ndërsa ambasadës nuk do t’ia ndërrojë vendin.
Palestinezët duan Jerusalemin Lindor, të okupuar nga Izraeli në një luftë të vitit 1967 së bashku me Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, si kryeqytetin e shtetit që ata kërkojnë.
Emiratet e Bashkuara Arabe ishin të parët nga katër shtetet arabe që lëvizën për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin pas disa dekadash armiqësie. Ndërsa Bahreini, Sudani dhe Maroku ndoqën shembullin.
Zyrtarët palestinezë thanë se ata ndiheshin të tradhtuar nga vëllezërit e tyre arabë për arritjen e marrëveshjeve me Izraelin pa kërkuar më parë përparim drejt krijimit të një shteti palestinez.
Disa kritikë vlerësuan se Trump kishte promovuar afrimin arab me Izraelin duke injoruar aspiratat palestineze për shtetësinë.
Megjithatë rihapja e konsullatës, sipas analistëve, do të ndizte tensionet midis Uashingtonit dhe aleatit të tij të ngushtë në Lindjen e Mesme.
Izraeli ka thënë se do të kundërshtojë këtë veprim, duke pohuar sovranitetin e tij mbi Jerusalemin dhe duke argumentuar se qeveria e Naftali Bennett do të destabilizohej nga rivendosja e një baze diplomatike për palestinezët në qytet.
Blinken u shpreh se normalizimi midis Izraelit dhe shteteve arabe do të ishte një “forcë për përparim” midis izraelitëve dhe palestinezëve, riafirmoi mbështetjen për një zgjidhje mes dy shteteve dhe tha se të dyja palët “në mënyrë të barabartë meritojnë të jetojnë pa rrezik dhe në mënyrë të sigurt”./UBTNews/