“Qytetarët amerikanë që janë në ose afër Hotel Serena duhet të largohen menjëherë”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit, duke cituar “kërcënimet e sigurisë”, transmeton UBT News.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania paralajmëruan qytetarët e tyre të hënën që të shmangin hotelet në Afganistan, disa ditë pasi dhjetëra persona u vranë në një xhami në një sulm që pretendohet se u krye nga grupi ISIS.
Talibanët, të cilët morën pushtetin në gusht po kërkojnë njohje dhe ndihmë ndërkombëtare për të shmangur një katastrofë humanitare dhe për të lehtësuar krizën ekonomike të Afganistanit.
Por, ndërsa po kalojnë nga një ushtri rebele në një fuqi qeverisëse, ata tani po përpiqen të kontrollojnë kërcënimin nga ISIS-i.
“Qytetarët amerikanë që janë në ose afër Hotel Serena duhet të largohen menjëherë”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit, duke cituar “kërcënimet e sigurisë” në zonë.
“Në dritën e rreziqeve të rritura ju këshillojmë të mos qëndroni në hotele, veçanërisht në Kabul (siç është Hoteli Serena)”, shtoi Zyra e Jashtme e Britanisë.
Që nga marrja e kontrollit nga talibanët, shumë të huaj janë larguar nga Afganistani, por disa gazetarë dhe punonjës të ndihmës vazhdojnë të qëndrojnë në kryeqytet.
Serena e mirënjohur, një hotel luksoz i popullarizuar me udhëtarët e biznesit dhe mysafirët e huaj, ka qenë dy herë objekt i sulmeve nga talibanët.
Në vitin 2014, vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale, katër adoleshentë të armatosur me pistoleta të fshehura në çorapet e tyre arritën të depërtojnë brenda, duke vrarë nëntë persona, përfshirë një gazetar të AFP dhe anëtarë të familjes së tij.
Kurse në vitin 2008, një bombë vetëvrasëse la gjashtë të vdekur, përcjell UBT News.
Gjatë fundjavës, delegacionet e larta talebane dhe amerikane zhvilluan bisedimet e tyre të para ballë për ballë në kryeqytetin e Katarit, që nga tërheqja e SHBA.
Bisedimet “u përqëndruan në shqetësimet e sigurisë dhe terrorizmit dhe kalimin e sigurt për qytetarët amerikanë, shtetas të tjerë të huaj dhe partnerët tanë afganë”, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price.
“Të drejtat e njeriut, përfshirë pjesëmarrjen kuptimplotë të grave dhe vajzave në të gjitha aspektet e shoqërisë afgane”, u ngritën gjithashtu, tha Price në një deklaratë.
Sipas Departamentit të Shtetit, diskutimet ishin “të sinqerta dhe profesionale” dhe zyrtarët amerikanë përsëritën se “talebanët do të gjykohen për veprimet e tyre, jo vetëm fjalët e tyre”./UBTNews/