Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane kanë raportuar shifrat më të larta me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, teksa varianti Omicron po përhapet. Më shumë se 440 mijë raste të reja u regjistruan të hënën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Franca, Italia, Greqia dhe Portugalia dhe Anglia kanë raportuar rekord të rasteve ditore me COVID-19. Zyrtarët shëndetësorë thonë se shifrat e larta mund të jenë edhe për shkak të vonesave në raportime për shkak të Krishtlindjeve.
Studimet sugjerojnë se varianti Omicron është më i lehtë sesa varianti dominues Delta, por ekziston frika që numri i rasteve që rrjedhin nga varianti shumë helmues Omicron mund të çojë deri te hospitalizimi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se rreziku nga varianti Omicron “është shumë i lartë”.
Polonia të mërkurën shënoi 794 viktima nga COVID-19, shifra më e lartë në valën e katërt të pandemisë, me më shumë se ¾ e viktimave të pavaksinuara.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rastet e regjistruara nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u rrit me 441 mijë e 278 raste të reja më 27 dhjetor – shifra më e lartë e rasteve ditore të raportuara nga agjencia.
Sipas raportit të OBSh-së të publikuar të martën, numri i infeksioneve me COVID-19 u rrit më 57% në Evropë në javën para 26 dhjetorit dhe 30% në Amerikë.
Të martën, Franca raportoi 179 mijë e 807 raste të reja, shifra më e lartë ditore në Evropë. Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran tha se e gjithë kjo situatë mund të ndikojë që Franca të përballet me 250 mijë raste ditore në fillim të janarit.
Një numër i shteteve evropiane raportuan rekorde ditore të rasteve me COVID-19 të martën:
- Italia raportoi 78 mijë raste të reja me COVID-19
- Portugalia regjistroi 17 mijë e 172 raste të reja me COVID-19
- Greqia raportoi 21 mijë e 657 raste të reja me COVID-19
- Autoritetet shëndetësore në Angli raportuan rekord rastesh, 117 mijë e 93
Një numër i mardh qytetesh, sikurse Parisi, Londra dhe Berlini – anuluan festimet për Vitin e Ri./UBTNews