UBT News

ShBA dërgon 2 milionë dozat e para të vaksinës Pfizer në Peru

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hënën do t’i dërgojnë dozat e para të vaksinës Pfizer jashtë vendit si pjesë e planit të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të dhuruar miliona vaksina për vendet tjera. Kështu deklaroi për CNN një burim nga Shtëpia e Bardhë.

Dy milionë vaksinat e para të Pfizerit do të dërgohen në Peru të hënën, si pjesë e angazhimit fillestar të presidentit Joe Biden për të ndarë 80 milionë doza të vaksinave antiCOVID me botën. Biden që atëherë ka arritur një marrëveshje me Pfizer për të blerë dhe ndarë me botën 500 milionë doza shtesë gjatë dy viteve të ardhshme. Dozat pritet të arrijnë këtë javë në Peru.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hënën do të dërgojnë edhe 2.5 milionë doza të vaksinës Moderna në Pakistan përmes programit COVAX.

Biden është zotuar të alokojë 80 milionë doza të vaksinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendet e tjera deri në fund të qershorit, me 75% që rrjedhin përmes COVAX dhe pjesa tjetër duke u dhënë përparësi vendeve me të ardhura të ulta.

“Amerika do të jetë arsenal i vaksinave në luftën kundër COVID-19, ashtu siç ishte arsenal i demokracisë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi Biden në fillim të këtij muaji./UBTNews

Exit mobile version