Ismael “El Mayo” Zambada, një figurë kyçe në kartelin Sinaloa dhe një nga bosët më me ndikim të drogës në Meksikë, është arrestuar në El Paso, një qytet kufitar i SHBA.
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Merrick Garland njoftoi arrestimin edhe të Joaquín Guzmán López, djali i ish-bashkëpunëtorit të Zambada dhe liderit famëkeq të kartelit Joaquín “El Chapo” Guzmán Loera.
Sipas raporteve të mediave meksikane, Zambada dhe Guzmán López u dorëzuan vullnetarisht tek autoritetet. Administrata e SHBA-së për Zbatimin e Drogës kishte ofruar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacionin që mund të çonte në arrestimin e 76-vjeçarit Zambada.
Zambada përballet me akuza të shumta në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë prodhimin e kokainës, heroinës, metamfetaminës dhe fentanilit, si dhe akuza për vrasje dhe pastrim parash.
“El Mayo dhe Guzmán López i bashkohen një liste në rritje të drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të Kartelit Sinaloa që Departamenti i Drejtësisë po i mban përgjegjës në Shtetet e Bashkuara”, tha Garland.
Ovidio Guzmán, një tjetër djalë i El Chapo, u ekstradua nga Meksika në Shtetet e Bashkuara në shtator./UBTnews/