UBT News

Sharon Osbourne thyen heshtjen pas vdekjes së Ozzy-t me një gjest të ëmbël

Sharon Osbourne, e mbetur me zemër të thyer pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, legjendës së rokut Ozzy Osbourne, ka reaguar për herë të parë me një gjest simbolik dhe prekës.

Ozzy, vokalisti ikonik i Black Sabbath, ndërroi jetë më 22 korrik, në moshën 76-vjeçe, duke lënë pas trashëgimi muzikore. Ai u varros në rezidencën e tij në Buckinghamshire, gjatë një ceremonie private ku morën pjesë familja, miqtë më të afërt dhe figura të njohura të botës së muzikës, përfshirë Marilyn Manson dhe kitaristin Zakk Wylde, shkruan DailyMail.

Në fundjavë, ekipi që menaxhon llogarinë e Ozzy-t në Instagram publikoi një foto të fundit në skenë, me mbishkrimin: “Nuk dua të them lamtumirë. Kur ta bëj, do të jesh mirë. Në fund të fundit, e bëra gjithçka për ty”.

Sharon, 72 vjeç, zgjodhi ta pëlqejë këtë postim si një përshëndetje të ëmbël dhe të heshtur për partnerin e saj të jetës, ndërsa vijon të mbajë zi. Dokumentet zyrtare mbi vdekjen e muzikantit treguan si shkaqe arrestin kardiak, infarktin akut të miokardit dhe sëmundjen e arteries koronare, si edhe komplikacionet e Parkinsonit, sëmundje e diagnostikuar tek ai në vitin 2019.

Vdekja e Ozzy-t shkaktoi reagime të shumta në botën e muzikës dhe showbiz-it, ndërsa familja deklaroi se ai u nda nga jeta “i rrethuar nga dashuria”.

Ndërkohë, për të njëjtën periudhë janë duke u përgatitur dokumentarë nga BBC dhe Paramount+, megjithatë projekti i BBC-së është shtyrë pas shqetësimeve të familjes lidhur me mënyrën e trajtimit dhe tonin e programit.

Exit mobile version