Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala e ka vlerësuar si të dëmshme për sistemin e drejtësisë, dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri të Kosovës.
Ndonëse ka thënë se dorëheqja e deputetëve dhe ministrave të Listës Serbe nuk përbën ndonjë rrezik për mosfunksionim të Kuvendit apo Qeverisë, e kundërta thotë se mund të ndodhë me sistemin e drejtësisë në veri.
Duke folur për këto dorëheqje, Shala u shpreh se sistemi gjyqësor do të jetë i “paralizuar”, pasi me marrëveshjen e Brukselit kërkohet njëjtit të zëvendësohen me gjyqtarë dhe prokurorë serbë. Ai foli edhe për dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës. Sipas tij, në këtë rast presidentja duhet t’i zëvendësojë ato vende.
“Tërheqja e serbëve është e dëmshme për shumë sektor, tek gjyqtarët dhe prokurorët integrimi që ka ndodhur ka qenë një e arritur e konsiderueshme për faktin se deri në atë kohë nuk ka pasur shërbime dhe gjyqësori nuk ka qenë i integruara dhe ka pasur probleme ne sferën e drejtësisë. Tash këto dorëheqje që janë bërë e rëndojnë situatën në gjitha drejtimet. Proceduralisht është e lehtë se në rastin e kryetarëve të komunave, presidentja i shpall zgjedhjet, në rastin e deputetëve të njëjtit miratohet dorëheqja dhe shkon tekë presidentja për zëvendësim të deputetëve, në rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve miratohet dorëheqja nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe në fund vendimin e merr presidentja”, tha Shala.
“Mirëpo në gjyqësor do të krijojnë një situatë jashtëzakonisht problematike për zëvendësimin e të njëjtëve, për shkak se të njëjtit kërkojnë që të zëvendësohen me gjyqtarë dhe prokurorë serbë dhe në këtë situatë nuk besohet që Këshilli Gjyqësor do të kishte mundësi që t’i plotësonte këto pozita që kanë mbetur. Në këtë rast do të cenohej edhe administrimi i drejtësisë në gjithë këtë pjesë. Për këto çështje BE-ja duhet të marr një qëndrim të prerë në mënyrë që të sigurohet zbatimi i marrëveshjeve”, tha tutje Shala.
Shala ka thënë se në sistemin juridik, nuk njihet si praktikë zëvendësimi i përkohshëm, dhe si i tillë të njëjtit nuk mund të zëvendësohen. Ai e ka quajtur të dëmshëm largimin nga institucionet gjyqtarët dhe prokurorët, teksa e quan edhe shkatërrim i integritetit të KGjK-së dhe KPK-së.
“KGJK-ja dhe KPK- ja duhet ta ketë parasysh faktin se nëse të njëjtit largohen nga institucionet, gjyqtaret dhe prokurorët, definitivisht se shkatërrohet integrimi i gjyqësorit në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin Prokurorial, kjo është e para. E dyta KGJK dhe KPK duhet ta ketë parasysh se tërheqja e tyre nga Gjykatat dhe Prokurorit e rëndon shumë administrimin e drejtësisë në këto komuna. Duhet gjetur një mënyrë se si mund të dilet nga kjo situatë, për tu rikthyer në pikën zero. Këto pozita nuk mund të zëvendësohen përkohësisht”, u shpreh Shala.
Të dielën, katër kryetarët bashkë me këshilltarët komunalë kanë dhënë dorëheqje nga këto pozita. Të gjitha këto veprime u ndërmorën nga serbët për shkak të vendimit për targa të marrë nga Qeveria e Kosovës.