UBT News

Shakira thyen rekord në Amazon Music, koncerti me Dua Lipën më i ndjekuri nga një artiste femër

Amazon Music ka bërë të ditur se koncerti i Shakirës, i mbajtur më 3 tetor në Madrid, është bërë performanca e transmetuar drejtpërdrejt më e ndjekur nga një artiste femër në historinë e platformës.

Koncerti u transmetua në Amazon Music, Prime Video dhe Twitch, ndërsa u zhvillua në kuadër të turneut botëror të këngëtares kolumbiane, “Las Mujeres Ya No Lloran World Tour”, si pjesë e rezidencës së saj evropiane në Madrid.

Mbrëmja solli edhe një moment të veçantë për publikun, pasi Shakirës iu bashkua në skenë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Dy artistet interpretuan së bashku, në një version akustik, këngën “Antología”.

Koncerti u mbajt në “Estadio Shakira”, një stadium i përkohshëm i ndërtuar në kompleksin Iberdrola Music, në zonën Villaverde të Madridit.

Transmetimi rekord ishte pjesë e fushatës vjetore të Amazon Music, “Music Connects Us”, e cila këtë vit mban temën “The Women Shaping Latin Music” dhe i kushtohet grave që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e muzikës latine.

Amazon Music vlerësoi ndikimin e Shakirës në skenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një artiste që për më shumë se tri dekada ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për artistët latinë në tregun global.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Amazon Music, “Dai Dai”, bashkëpunimi i Shakirës me Burna Boy, është kënga më e dëgjuar në botë në platformë gjatë vitit 2026 deri më tani. Shakira është gjithashtu artistja latine më e dëgjuar në Amazon Music gjatë së njëjtës periudhë.

“Las Mujeres Ya No Lloran World Tour është bërë shumë më tepër nga sa mund ta kisha imagjinuar dhe jam shumë krenare për të”, është shprehur Shakira, duke thënë se është e emocionuar që këtë përvojë ta ndajë me fansat në mbarë botën./A.K/

Exit mobile version