Shakira do të dhurojë një pjesë të të ardhurave nga koncerti i saj për familjet e prekura nga përmbytjet shkatërruese në Teksas.
Këngëtarja shprehu ngushëllimet e saj për viktimat dhe familjet e të prekurve nga përmbytjet në zonën e Teksasit.
“I dashur San Antonio, zemrat dhe lutjet tona janë me ata që janë prekur nga përmbytjet në zonën qendrore të Teksasit”, shkroi Shakira në X, duke shtuar: “Ne po dhurojmë një pjesë të të ardhurave nga koncerti i sonte për Organizatën Bamirëse Katolike të San Antonios, e cila po ofron ndihmë për familjet e prekura nga katastrofa.”
Këngëtarja shtoi një link në platformën e donacioneve të drejtuar nga Catholic Charities: ‘Nëse dëshironi të bashkoheni në donacion, ju lutemi klikoni në link-un më poshtë. Ndihma juaj është e rëndësishme dhe e vlefshme.”
Performanca e Shakirës në Teksas të shtunën në mbrëmje ishte e fundit përpara se ajo të rifillojë turneun e saj në Kaliforni në gusht.
Numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese që përfshiu shtetin jugor amerikan të Teksasit tani ka arritur në 80, ky numër është i sigurt se do të rritet ndërsa shpresat për të gjetur 10 fëmijët ende të zhdukur po pakësohen.