Deputeti shqiptar i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi ka uruar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanin për rezultatet e arritura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Kamberi ka shprehur mirënjohjen edhe për partitë e tjera politike garuese në këto zgjedhje rreth qëndrimeve të tyre lidhur me rezultatin preliminar zgjedhor.
“Përuroj Lëvizjen Vetëvendosje!, z.Albin Kurti dhe znj.Vjosa Osmani, për fitoren e tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit në Republikën e Kosovës. Shpreh po ashtu mirënjohjen time për partitë e tjera politike garuese në këto zgjedhje, përkatësisht për qëndrimet e tyre të matura politike, lidhur me rezultatin preliminar zgjedhor. Për Luginën e Preshevës në veçanti dhe për shqiptarët në Serbi në përgjithësi, mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme, që institucionet e Republikës së Kosovës të jenë funksionale dhe demokratike. Në cilësinë e Shefit të Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak” dhe të kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, shpreh përkushtimin tim të plotë, për të bashkëpunuar me institucionet e reja legjislative, ekzekutive dhe presidenciale të Republikës së Kosovës, që do të dalin nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Aq më tepër duke pasur parasysh se Republika e Kosovës mbetet shembull i veçantë pozitiv në rajon, lidhur me të drejtat ligjore dhe kushtetuese që garanton për pjesëtarët e minoriteteve. Shembull që shpërfaq po ashtu asimetrinë dhe mosharmonizimin e të drejtave të minoriteteve me Republikën e Serbisë në veçanti, por edhe me shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kamberi.
Ai ndër tjera ka shkruar se mbetet jetik hartimi i zbatimit të planit dhe programit shtetëror të Republikës së Kosovës në bashkërendim me të zgjedhurit e Luginës së Preshevës.