Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ndarë një mesazh domethënës për Ditën e Flamurit, duke theksuar vazhdimësinë e ndalimit ligjor të përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës.
Në postimin e tij, Kamberi ka kujtuar se ndërsa shqiptarët në trojet e tyre festojnë këtë datë të shënuar me aktivitete të ndryshme, në Luginën e Preshevës vazhdon gjendja diskriminuese ku Serbia ndalon përdorimin e lirë dhe zyrtar të flamurit kombëtar.
“Serbia është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që, përmes ligjit, pengon përdorimin e simboleve kombëtare të pakicave nacionale, nëse ato janë identike me simbolet shtetërore të një vendi tjetër. Flamuri ynë kombëtar, me fushë të kuqe dhe shqiponjën dykrenare, për ne është simbol i identitetit dhe unitetit kombëtar. Për Serbinë, ky është një pretekst për të sanksionuar përdorimin e tij nga shqiptarët,” ka theksuar Kamberi.
Ai ka kujtuar rastet e shumta të ndjekjeve dhe dënimeve ndaj liderëve politikë, përfaqësuesve të institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë, vetëm pse kanë valëvitur flamurin kombëtar më 28 Nëntor. Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, është ende i dënuar për një veprim të tillë, edhe pas përfundimit të mandatit të tij.
Kamberi ka apeluar për rezistencë qytetare ndaj kësaj padrejtësie dhe ka bërë thirrje që secili shqiptar në Luginën e Preshevës, më 28 Nëntor, të vendosë flamurin kuqezi në shtëpinë e tij.
“Flamuri nuk është thjesht një simbol. Ai është pjesë e identitetit tonë ndër shekuj. Flamuri është i të gjithëve ne, dhe për të duhet të reagojmë së bashku,” përfundon mesazhi i deputetit Kamberi, i cili edhe një herë ngriti çështjen në parlament dhe në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar të drejtën për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare./UBTNews/