UBT News

Shahini: Rritja e buxhetit për komunat është bërë për shkak se Qeveria është në fund të mandatit

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se rritja e buxhetit për komunat është bërë për shkak se Qeveria është në fund të mandatit të saj.

Shahini përmend edhe rënien e investimeve kapitale në Kosovë, duke thënë se ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Ai tha se ndërprerja e investimeve kapitale i vendos operatorët në pozitë të vështirë e disa në prag të falimentimit.

“Edhe po e shohim se është vit zgjedhor dhe Qeveria e vendit sikur po jep sinjale se këtë vit do të investojë më shumë dhe kjo është e mirë për vendin, por kanë shkuar tri vite pa investime të mëdha kapitale dhe asnjë projekt i madh kapital nuk ka filluar, përkundrazi janë ndal shumë projekte e ta marrim shembull projektin që 15 vjet kur ka filluar për Vushtrri ashtu për Podujevë, Gjilan, Pejë dhe shumë tjerë janë ndaluar e që këto i kanë vendosur bizneset, operatorët ekonomik në një pozitë të palakmueshme. Ka pas disa prej tyre që janë mbyllur për shkak se iu ka dal puna iu ka ndal tenderi ata kanë qenë të fokusuar kryesisht në infrastrukturë dhe kjo ka ndiku negativisht”, tha Shahini.

Deklarimet e Kurtit për rritje të buxhetit, Shahini i sheh të mirëseardhura, veçse është skeptik.

“Me siguri që shifrat tregojnë një gjë të tillë se buxheti këtë vit është mbi 740 milionë euro për komuna prej tyre gjysma do të jetë grante nga Qeveria si institucion përgjegjës, por besoj se duhet të jenë të vërteta për arsye se kryeministri nuk mund të thotë diçka që nuk është e vërtetë. Këtë më së miri do e dëshmojnë komunat dhe kryetarët e komunave se a do të përfitojnë nga këto mjete dhe a do t’i shpenzojnë këto mjete. Dihet se investimet kapitale në Kosovë janë në nivelin më të ulët sidomos ato në nivel lokal, prandaj besoj që këto do të ndikojnë në rritjen e mirëqenies qytetare ekonomike e sociale nëpër komunat e Kosovës”, tha ai.

Shahini ka folur edhe për favorizimin e komunave nga ekzekutivi. Ai tha se ato që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje po përfitojnë më shumë nga Qeveria.

“Statistikat tregojnë se ka pas favorizim janë nda buxhete shumë më të larta, këto janë edhe rregulla në bazë të proporcionit të qytetarëve të participimit të tatimeve në pronë dhe qytetarëve nëpër komuna dhe neve na del që vërtetë komunat ku qeverisë VV-ja ka pasur favorizime por edhe ato kanë qenë në Kosovë, por nuk duhet përjashtuar edhe komunat tjera të cilat vërtetë pothuajse asnjë komunë nuk e kemi të zhvilluar dhe kudo që të investon është mirë por kudo që të investon duhet të jetë në mënyrë proporcionale dhe pa hatër mbetje nga kryetarët dhe qytetarët e komunave tjera”, ka deklaruar Shahini.

E tepricat buxhetore, Shahini i konsideron të dëmshme pasi vitin e kaluar ato ishin rreth 700 milionë euro. Tha se ato mjete është dashur të shpërndahen nëpër komuna.

“Teprica që vazhdimisht Qeveria e vendit po e ka në fund të vitit që janë rreth 700 milionë kishe me qenë mirë tu shpërndahen komunave, kishte qenë mirë t’u jep punë komunave dhe duke i dhënë mjete komunave, komunat të hapin tenderë duke i marr këto tenderë bizneset vendore të rritet qarkullimi i parasë, rritja e zhvillimit ekonomik dhe në këtë moment ne që po flasim pretendojmë që në këtë vit të jetë më e lart se në vitin e kaluar të ketë punësim më të mirë, zhvillim më të mirë”, deklaroi Shahini.

Exit mobile version