Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe “Agro Kosova Holding” në Suharekë kanë mbajtur aktivitetin tradicional “Vjelja e Rrushit Kosova 2024”. Aktiviteti me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po JU?”, mblodhi kultivues të rrushit nga niveli lokal e përfaqësues të bizneseve vendore.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se tashmë ky është një event tradicional. Ai i bëri thirrje Qeverisë të fokusohet më shumë në përmirësimin e kushteve për investime të huaja dhe prodhues vendës. Sipas tij, kjo është fryma e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bizneseve.
“Kosova ka nevojë për mbështetje të prodhimit, të shërbimeve të veta sepse shërbimet e Kosovës do të mund ta nritin cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës, nëse Qeveria do të krijojë hapësirë për ta mbështetur ekonominë vendëse”, u shpreh Shahini.
Pronari i “AgroKosova Holding”, Haziz Tafaj, ka falënderuar pjesëmarrësit e këtij manifesti, AKB-në dhe komunën për mbështetjen e vazhdueshme.
E kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, theksoi se komuna që e udhëheq shquhet për prodhimtari e suksese në shumë fusha. Sipas tij, cilësia dhe rendimenti i rrushit sivjet janë të larta.