UBT News

Shahini kërkon të lejohet tërheqja e Trustit

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin me humbjen e mjeteve nga Trusti Pensional, shkaku i krizave në tregjet financiare globale muajve të fundit. Sipas kryetarit të AKB-së, Agim Shahini, duke marrë për bazë këto humbje, lejimi i tërheqjes së një pjese të Trustit, do ta ndihmonte tej mase ekonominë vendëse.

Shahini i ka bërë thirrje Qeverisë së Albin Kurtit të reflektojë karshi qytetarëve dhe kërkesave të tyre. Ai ka përmendur edhe faktorët që kanë ndikuar në humbjet e mjeteve nga Trusti.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve është e shqetësuar për humbjet e njëpasnjëshme që po ndodhin paratë e taksapaguesve të vendit, qoftë përmes Trustit Pensional, që është një vlerë e madhe, mbi 120 milionë euro, e që kjo është si pasojë e shumë faktorëve, por faktori njëri është numër një, menaxhimi i burimeve dhe fondeve të Trustit dhe shitja e tyre, së dyti është inflacioni dhe së treti është devalvimi”, u shpreh Shahini, duke thënë se rreth 400 milionë euro do të futeshin në qarkullim nëse lejohet kjo tërheqje.

Ai ka thënë se nga këto mjete, do të përfitonte edhe shteti nga TVSh-ja.

“Prandaj, shteti jonë duhet të jetë i kujdesshëm në financimin e këtyre parave të taksapaguesve kosovarë në çfarëdo drejtimi që dëshiron t’i dërgojë. Ne si AKB i kemi kërkuar Qeverisë së vendit vazhdimisht që një pjesë e tyre të kthehet tek qytetari, në mënyrë që këto mjete të kthehen në qarkullim përmes qytetarëve, dhe që përfitimet nga kthimi i vlerës 20 apo 30 për qind, është rreth 400 milionë, kurse vetë shteti do t’i merrte rreth 70 milionë euro TVSh, e që kjo do të ishte një infuzion i mirë për vendin”, deklaroi ai më tej.

Duke folur për kërkesën e qytetarëve për t’i tërhequr një pjesë të Trustit, Shahini thotë se e njëjta nuk duhet të ndalohet, por që të mbesë në dëshirën e kontributdhënësve.

“Ne kemi qenë kërkues dhe e mbështesim iniciativën. Nuk ka askush në Kosovë që i kundërshton këto në mënyrë morale por në mënyrë politike, prandaj është koha që t’u ndihmohet qytetarëve për të dalë nga kriza ekonomike. Tek e fundit, këto janë mjete të qytetarëve dhe këto mjete në momente të caktuara vendosin vetë qytetarët se ku duan t’i shpenzojnë. Në vendet tjera këto mjete mund t’i marrin për të blerë vetura, ato janë kursime të qytetarëve, dhe ato nuk guxojnë të sanksionohen vetëm me vendime por me dëshira të vetë kontributdhënësve”, u shpreh ai.

Sot në Kuvend do të shqyrtohet tërheqja e Trustit. Partitë opozitare kanë shprehur vullnetin që të votojnë pro tërheqjes së Trustit.

Exit mobile version