Gjendja aktuale e energjisë elektrike në Kosovë dhe investimet që e presin Kosovën në këtë sektor janë temat të cilat u diskutuan në takimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe drejtorit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Evropë, Artur Lorkowski me delegacionin e tij.
Përmes një komunikate për media u bë e ditur se Rizvanolli theksoi se sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Evropë e ka mbështetur Kosovën në shumë procese të rëndësishme, përfshirë këtu edhe rreth kornizës ligjore dhe menaxhimit të krizës energjetike.
“Gjatë takimit, po ashtu u trajtuan edhe çështjet më të rëndësishme aktuale të energjisë, në veçanti për Planin Kombëtar të Kosovës për Energji dhe Klimë (NECP), Harmonizimin e Politikave Mjedisore me Politikat Evropiane (ETS) dhe Marrëveshjen për Tregun e Energjisë Elektrike”, thuhet në komunikatë.
Me theks të veçantë poashtu u diskutuan edhe sfidat aktuale dhe proceset e lehtësimet që mund të ofrojë Bashkimi Evropian në rrugën drejt transformimit energjetik të vendit.