Kumbullat shahine i kanë bërë shoqëri njerëzimit prej shumë kohësh. Të dhënat shkencore konfirmojnë se këto kumbulla janë përdorur në mjekësinë popullore të qytetërimeve të ndryshme.
Muaji maj është ideal për të shijuar kumbullat shahine në çdo cep të Shqipërisë dhe gjenden me çmime mjaft të lira.
Duke qenë se në këtë periudhë këto kumbulla kanë shkëlqimin e tyre, ja një recetë e rrallë e shurupit të kumbullave.
Përbërësit:
1 kg kumbulla shahine
1 kg sheqer kaf
1 kavanoz qelqi ose një enë të madhe mjaftueshëm sa për të përballuar kumbullat dhe sheqerin
Udhëzimet:
Lani e kulloni kumbullat, nëse doni mund t’i shpërndani në një tepsi e t’i thani natyralisht.
Pastroni kumbullat nga bishtat a gjethet e mbetura, heqja e bishtave nuk është e detyrueshme, por në fund të procesit, lundrojnë në sipërfaqe e do të duhet ta kulloni shurupin për t’i hequr. Bishtat rrisin gjasat e formimit të mykut në shurup.
Hidhni kumbullat e kalbura se do prishin shurupin, sterilizoni kavanozin e qelqit duke e pastruar me ujë të valuar ose alkool. Hidhni sheqerin e kumbullat në shtresa në sasi të barabarta. Sheqeri duhet të hidhet mjaftushëm sa të krijojë shtresë të hollë sipër.
Mbuloni kavanozin me kapak dhe lëreni në një vend të freskët për 90 ditë, gjatë këtyre ditëve, përzini shurupin çdo dy ditë për rreth 7-10 ditë. Në këtë mënyrë, sheqeri do të shkrihet tërësisht në lëngun e kumbullës.
Përzierja duhet të vazhdojë në harkun kohor të 80 ditëve, nëse vini re se kumbullat kanë marrë ngjyrë të ndryshme ose njolla të bardha, përzini shurupin mirë. Sekreti i shurupit të mirë qëndron tek sasia e barabartë e frutave me sheqerin, por në varësi të madhësisë dhe lëngut të kumbullave mund ta ndryshoni recetën në 1 kg kumbulla me 1.5 kg sheqer.
Në vitet e fundit, studimet kanë treguar se :
• Sasia e madhe e acidit citric tek kumbullat e ndihmon organizmin të largojë acidin laktik, të shërohet më shpejt.
• Kumbullat shahine ndihmojnë sekretimin e gjendrave të gojës dhe enzimave të tretjes duke përmirësuar të gjithë procesin në tërësi.
• Shurupi i kumbullës shkatërron bakteret e dëmshme e ndihmon kundër diaresë duke përmirësuar funksionin normal të zorrëve.
Pirja e shurupit të kumbullave me ujin përmirëson ndjeshëm tretjen, sidomos pasi e keni tepruar me të ngrënit, forcon imunitetin dhe jep energji të madhe për organizmin.
Vlerat e kumbullave:
Frutat e kumbullës kanë vlera të larta ushqimore. Ato përmbajnë 8-20 për qind sheqer natyral, acide dhe pektinë.
Kumbulla shahine përmban kripëra minerale të kalciumit, kaliumit, magnezit e hekurit, është e pasur me kalori, proteina dhe vitamina A, C, B6 dhe D. Kumbulla përmirëson sistemin tretës e forcon trupin të jetë rezistent ndaj sëmundjeve.
Ruan shëndetin e zemrës, parandalon ngritjen e kolesterolit në gjak, atakun në zemër, çrregullimet e rrahjeve të zemrës.
Këto fruta ndihmojnë sistemin tretës, lëvizjen dhe pastrimin natyral të zorrëve. Përmirëson shikimin, ngrënia e tre kokrrave të kumbullës në ditë, zvogëlon rrezikun e degradimit molekular e formimin e perdeve të syrit.
Kumbullat mbrojnë oksidimin e kolesterolit në enët e gjakut dhe aktivizojnë punën e veshkave.
Ato ndihmojnë formimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe ndalojnë aneminë. kumbullat Shahine largojnë toksinat nga trupi dhe lodhjen. Ato janë të dobishme për të sëmurët me diabet dhe funksionojnë edhe si parandaluese e tij.
Kumbulla ndihmon për shëndetin dhe formimin e kockave, përmirësojnë densitetin e tyre që shkaktohet nga mosha.