Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka shprehur “shqetësim të thellë” më 25 tetor, pasi Rusia ratifikoi traktatin e saj të mbrojtjes me Korenë e Veriut, duke i bërë thirrje sërish Moskës që të ndalë “bashkëpunimin e paligjshëm” me Phenianin.
Të enjten, ligjvënësit rusë votuan në mënyrë unanime për ratifikimin e traktatit të mbrojtjes me Korenë e Veriut që ofron “ndihmë të ndërsjellë” nëse ndonjëra palë përballet me agresion.
Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mijëra trupa të Koresë së Veriut po trajnohen në Rusi, ndërkaq Ukraina tha gjatë kësaj jave se ushtarët kanë arritur “në zonën e luftës” në rajonin kufitar rus të Kurskut.
Koreja e Veriut dhe Rusia paraprakisht kanë mohuardislokimin e trupave koreanoveriore.
Seuli “shpreh shqetësim të thellë për ratifikimin nga Rusia të traktatit të mbrojtjes me Korenë e Veriut në mes të dislokimit të vazhdueshëm të trupave të Koresë së Veriut në Rusi”, tha Ministria e Jashtme përmes një njoftimi.
Në njoftim u tha se Qeveria koreanojugore “bën thirrje që trupat e Koresë së Veriut të tërhiqen menjëherë dhe të ndalet bashkëpunimi i paligjshëm”.
“Qeveria do të punojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar për një përgjigje të fuqishme ndaj bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme, teksa ky bashkëpunim ushtarak vazhdon”, u tha në njoftim./UBTNews/