Koreja e Veriut i ka dorëzuar Rusisë 200 artileri me rreze të gjatë veprimi, si dhe një sasi të konsiderueshme municionesh, në një shenjë të qartë të forcimit të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve. Lajmi u konfirmua nga një zyrtar i ministrisë së mbrojtjes së Koresë së Jugut, i cili foli në kushte anonimiteti për AFP.
Sipas burimeve të inteligjencës jugkoreane, Koreja e Veriut ka dërguar gjithashtu rreth 11,000 trupa, raketa dhe armatime të tjera për të ndihmuar Rusinë në luftën kundër Ukrainës. Ndërsa Moska dhe Pheniani thellojnë aleancën e tyre, ekspertët paralajmërojnë për ndikimin që kjo marrëdhënie mund të ketë në rajonin e Azi-Paqësorit dhe më gjerë.
Media shtetërore e Koresë së Veriut raportoi të dielën se lideri Kim Jong-un ka ripohuar mbështetjen e tij për Rusinë, duke e cilësuar luftën e saj në Ukrainë si një “luftë të drejtë për sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial”. Ky angazhim vjen pas takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë të cilit të dy vendet nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, duke përfshirë edhe një klauzolë të mbrojtjes reciproke.
Autoritetet në Seul dhe Uashington po monitorojnë nga afër situatën, duke paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke shpërblyer mbështetjen ushtarake të Koresë së Veriut me teknologji të avancuar ushtarake. Një raport i ministrisë së mbrojtjes së Koresë së Jugut, dorëzuar Parlamentit të vendit, thekson se Moska mund t’i ketë dhënë Phenianit njohuri mbi sistemet e rihyrjes së raketave balistike ndërkontinentale (ICBM) dhe nëndetëset me energji bërthamore. Nëse kjo ndodh, do të ketë pasoja të mëdha për stabilitetin rajonal, duke rritur ndjeshëm aftësitë ushtarake të Koresë së Veriut.
Zyrtarët ukrainas kanë raportuar më herët për praninë e ushtarëve koreanoveriorë në fushëbetejat e Rusisë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar pamje të supozuara të të burgosurve koreanoveriorë, të cilët pretendohet se janë kapur në rajonin e Kurskut. Deri më tani, as Moska dhe as Pheniani nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë zhvillim./UBTNews/