Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, ka shkruajtur për takimin lamtumirës në Uashington në mes të dy emisarëve, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak.
Në platformën Peacefare.net, Serwer shkruan se megjithatë Escobar dhe Lajcak nuk arritën të prodhonin normalizim politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, synim ky që ishte prioritet i tyre kryesor.
Profesori amerikan thotë se të dy e kishin nisur keq dhe përfunduan edhe më keq. Ndërkaq duke rikujtuar gjithë ngjarjet që kanë ndodhur përgjatë këtyre tri viteve potencon se politika ndërkombëtare ka nevojë për një rivendosje.
Sipas tij, është e qartë që politika perëndimore ndaj Serbisë nuk është duke funksionuar dhe se Uashingtoni e Berlini s’janë duke bërë shumë më mirë në Kosovë.
Serwer gjithashtu thotë se dialogu për çështje teknike që në të kaluarën ka qenë më i suksesshëm, duke qenë se ishte fokusuar në çështje që prodhonin përfitime të dukshme për qytetarët e të dy shteteve.