Një tjetër lëkundje tërmeti ka tronditur Bulqizën mesditën e sotme. Sipas EMSC, tërmeti ishte me magnitudë 3.7 të shkallës Rihter dhe thellësia ishte vetëm 2 km. Lëkundjet u ndjenë 58 km në verilindje të qytetit të Tiranës, si dhe 14 km në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Mëngjesin e sotëm, Bulqiza u trondit nga lëkundje tërmeti, më e forta me magnitudë 4.7 që shkaktuan dëmtime në disa shtëpi.
Punonjës të njësisë administrative Shupenzë, në një deklaratë raportuan se deri më tani janë lajmëruar për dëmtimin e 4 shtëpive, kryesisht ne fshatrat Homesh, Shtushaj, Kovashic, ndërsa kanë nisur punën në terren për verifikimin e shkallës së dëmtimeve.
“Pranë njësisë administrative Shupenzë sot erdhën 4 lajmërime që ka dëmtime të lehta ose të rënda në 4 shtëpi të ndryshme në 4 fshatra të ndryshme. Sot bashkë me administratorin dhe dy shoqet e grupit tonë po dalim për verifikim për të parë dëmtimet. Do të shkojmë në të 4 shtëpitë për të parë gjendjet, pastaj do të parashtrojmë mendimet tona dhe do të shikojmë për ndihmën që do të japim nga ana financiare. Kjo është shtëpia e parë që erdhëm ta verifikojmë. Ishalla nuk do të kemi dëmtime të mëtejshme”, shprehet një punonjëse e njësisë administrative Shupenzë, që shtrihet në veri të bashkisë Bulqizë.
Ndërkohë grupet e verifikimit te njësive te tjera si Zerqan, Gjorice, Ostren, Trebisht, Martanesh dhe Fushe Bulqize po vijojnë punën ne terren për te parë më nga afër situatën.