Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka dështuar të mbahet, shkaku i mungesës së kuorumit.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, u shpreh se kjo është e papranueshme dhe kjo qasje duhet ndryshuar. Sipas tij, po bëhen gjashtë mbledhje të Kryesisë që nuk po mbahen.
“Edhe sot dështoi mbledhja e Kryesisë. Nuk ka kuorum për t’u mbajt mbledhja. Duhet ta ndryshojmë rregulloren e Kuvendit që përgjegjësinë ta ketë shefi i GP. Është e papranueshme dhe e padrejtë të mos ketë takim të Kryesisë. Funksionalizimi i Bordit të RTK-së është i rëndësishëm”, deklaroi ai.
Përderisa në rend dite ishin pika e papërfunduar nga seanca plenare e 22 dhe 28 korrikut 2021 për votimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të ndërmarrjes Hortikultura për vitin 2020.
Pika e dytë e rendit të ditë ishin pikat e papërfunduara nga seancat plenare më 16, 19, 21, 28 korrik dhe 6 gusht 2021, për votimin e Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime, për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MASHTI-t dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+), votimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni.
Kryesia e Kuvendit për shqyrtim kishte edhe pikën e papërfunduar nga seanca plenare e datës 19 tetor 2021, për votimin e raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për 2020, pikat e papërfunduara nga seancat plenare, 18, 19, 22 dhe 23 nëntor 2021, për votimin e raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për 2020, votimi i raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për 2020, votimi i raportit vjetor të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për 2020, votimi i raportit vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës për 2020, votimi i raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për 2020, shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS”, votimi për emërimin e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organin Shqyrtues të Prokurimit, votimi për përzgjedhjen e një kandidati për anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore, si dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.