Vazhdojnë veprimet e policisë, përkatësisht bastisjet lidhur me rastin Banjska. Policia e Kosovës është duke zhvilluar mëngjesin e sotëm një operacion në disa lokacione në veri, ka bërë të ditur policia.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, nuk ka saktësuar se ku po zhvillohen bastisjet. Por, siç raporton portali serb nga veriu, Kossev, një prej bastisjeve aktualisht po kryhet në një objekt në rrugën Kolashinska, në afërsi të tre soliterëve, në pjesën veriore të Mitrovicës.
Dy pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar para këtij objekti, gjegjësisht hyrjes së tij.
Në anën tjetër të kësaj ndërtese ndodhen xhipa të policisë.
Në të njëjtën kohë, bastisja është duke u bërë në njërën prej objekteve të Kombeve të Bashkuara, po ashtu në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe në vendbanimin Bërrdani.
Elshani tha se për momentin nuk ka të arrestuar.