Tre aktorë të vegjël me fytyra të reja do të sjellin sërish në jetë Harry Potter-in, seriali më i ri që do të prodhohet nga HBO.
HBO zbuloi treshen e artë: Dominic McLaughlin do jetë Harry Potter, Arabella Stanton, Hermione Granger dhe Alastair Stout do të jetë Ron Weasley.
Më shumë se 30,000 fëmijë aplikuan për role që u’a ndryshojnë jetën, pas njoftimit të HBO-së gjatë vjeshtës së kaluar. Xhirimet e serialit do të nisin këtë verë.
“Talenti i tre aktorëve të veçantë është një mrekulli për t’u parë dhe mezi presim që bota të përjetojë magjinë e tyre në ekran. I falënderojmë nga zemra të gjithë dhjetëra mijëra fëmijët që morën pjesë në audicion – ka qenë një kënaqësi të zbulojmë sa shumë talente të reja ka,” u shprehën përfaqësues të kastit.
Daniel Radcliffe, Emma Watson dhe Rupert Grint u bënë pjesë e historisë së kinemasë përmes interpretimit të këtyre roleve në filmat e Harry Potter.
HBO ka deklaruar më herët se seriali do të jetë një “përshtatje besnike” e librave bestseller dhe pritet të transmetohet në HBO Max, ndoshta që në vitin 2026.
Seriali është i bazuar mbi librat ikonikë të shkruar nga J.K. Rowling, e cila ka shitur miliona kopje në mbarë botën dhe ka ndikuar te breza të tërë lexuesish. Në këtë version të ri, HBO synon të sjellë më shumë detaje, të cilat në filma nuk kishin hapësirë të plotë.