Ministria e Arsimit e Serbisë ka obliguar edhe shkollat shqipe në Luginë të Preshevës që të intonojnë himnin e Serbisë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Pas këtij vendimi ka reaguar zevëndëskryetari i komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu, duke e cilësuar si imponim nga ana e Serbisë. Sipas Musliut, Serbia po përdor politikat e njëjta sikurse të viteve të ’90-ta.
“Ky vendim është një imponim dhe shkelje e rëndë e politikave zyrtare të Beogradit, për pakicat kombëtare dhe popujt joserb që jetojnë në brenda kufijve administrativ të Serbisë, dhe nëse kthehemi në kohë, janë po të njëjtat politika që ka përdorur Beogradi në vitet `90-ta, me presion të vazhdueshëm e sistematik e ndaj popullit shqiptar në veçanti.Për ta vërtetuar këtë politikë dhe për ta bërë më të rëndë presionin dhe gjendjen, stacioni policor ka thirrur çdo drejtor të shkollave duke kërkuar shpjegime se a është intonuar himni kombëtar serb në çdo klasë me nxënës shqiptar.Ky presion është i patolerueshëm”, shkroi ai mes tjerash.
Në fund Musliu tha se diversiteti etnik duhet të respektohet nën frymën evropiane dhe jo nën frymën e standardeve të dyfishta si “Open Ballkan”, që sot po promovohet në Beograd./UBTNews/