Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur për sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar. Ai ka thënë se kanë kaluar 11 muaj nga ky sulm ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, porse Serbia ende nuk po mbahet përgjegjëse dhe nuk po e dorëzon tek autoritetet e Kosovës, për siç ka thënë i pari i ekzekutivit kryekriminelin, Milan Radojçiq.
“Para katër ditësh u mbushën plotë 11 muaj nga agresionin i Serbisë ndaj vendit tonë kur u vra rreshteri i Policisë, tash heroi i Kosovës Afrim Bunjaku. Për këtë sulm Serbia ende nuk është mbajtë përgjegjëse dhe vijon të mos dorëzojë drejt autoriteteve tona kryekriminelin e saj Milan Radojiçiq. Edhe gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në takimet bilaterale me senatorë e kongresistët amerikanë në margjina të Konventës të Demokratëve kërkova që të ketë më shumë trysni nga bota perëndimore e demokratike për vënien para drejtësisë kundrejt akteve terroriste e destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe individëve përkatës përgjegjës”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.