Bashkimi Evropian pret që të gjitha vendet që aspirojnë integrimin në këtë bllok, të harmonizojnë politikat e tyre me vendimet e BE-së, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.
Shumica e udhëheqësve të Ballkanit dënuan vendimin e Rusisë për të njohur dy rajone separatiste në Ukrainën lindore, përveç Serbisë.
Zëdhënësi Bashkimit Evropian, Peter Stano, i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, se vendet që janë në procesin e anëtarësimit pritet të respektojnë vendimet e BE-së.
“Serbia është vend kandidat dhe për këtë pritet të harmonizohet me vendimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë”, tha ai.
Një ditë më parë edhe shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela tha se Serbia është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e dënon njohjen e Luhanskut dhe Donetskut nga Rusia.
“Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk dënon njohjen e Rusisë të Luhanskut dhe Donetskut. Hapësira manovruese e Vuçiqit për një politikë të jashtme bipolare është tkurrur. Ai duhet të deklarojë qartë nëse e kundërshton agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Zgjedhja është e qartë!”, shkroi ai në Twitter.