Serbia kërkon ekstradimin nga Maqedonia e Veriut të ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, i ndaluar një javë më parë në vendkalimin kufitar Jazhince.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, tha se kjo varet nga organet e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Ai sot në Tabanocë, gjatë takimit me homologun e tij maqedonas Pançe Toshkovski, tha se Serbia ka një listë për fletarreste ndërkombëtare ndaj pjesëtarëve të UÇK-së “të dyshuar për krime lufte në Kosovë”.
“Ne kemi listën e shumë njerëzve që kanë marrë pjesë në “krime” gjatë kohës së luftë, i kemi proceduar dhe lëshuar fletarrest. Përmes tyre, disa prej tyre janë arrestuar. Ne presim që të sillet vendim për ekstradim, por kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut”, tha Daçiq.
Me kërkesë të Prokurorisë për krim të organizuar, ish-ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani i është caktuar masa e paraburgimit ekstradues 30-ditor. Ai u ndalua më 17 korrik 2024 në vendkalimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë dhe u transferua në burgun e Shutkës në Shkup.
I pyetur mbi akuzat e fundit nga Kosova, se Milan Radojçiq, organizatori i sulmit terrorist në Banjska, po planifikon sulme të reja në Kosovë, dhe se pa dorëzimin e tij nuk mund të ketë mirëkuptim për bisedimet mes vendeve, ministri Daçiq tha:
“Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur dhe kjo absolutisht nuk mund të ndodhë. Ne nuk kemi direkt bashkëpunim me përfaqësuesit e tyre. Ne të gjitha bashkëpunimet i kemi me EULEX dhe shkëmbejmë informacione në lidhje me këto procese”, tha ai.