UBT News

Senatori Murphy: Serbia të mos e pengojë Kosovën në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters. Këta të fundit kanë kërkuar që Serbia të mos e pengojë Kosovën në rrugën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Pas takimit, presidentja Osmani ka thënë se Kosova është vendi më pro amerikan në botë, derisa kritikoi Serbinë për moszbatim të marrëveshjes së Ohrit.

“Në kuadër të diskutimeve për dialogun, i njoftova senatorët për listën e gjatë të shkeljeve nga ana e Serbisë. Kjo për mua nuk është një temë e thjeshtë administrative se kush e ka listën më të gjatë të obligimeve të pazbatuara, por ka të bëjë me paqe dhe stabilitet, gjë të cilën Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë. Mbi të gjitha ka të bëjë me sigurinë e rajonit tonë dhe mbrojtjen e rajonit tonë nga tendencat destabilizuese. Ne shpresojmë që zëri i senatit do të vazhdojë të jetë i qartë, kundër strukturave ilegale që po i terrorizojnë qytetarët serb në veri të vendit, të cilët janë edhe pjesë e grupeve trans-nacionale të krimit të organizuar, siç është thënë nga thesari amerikan. Sa i përket zbatimit të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, ashtu siç kam thënë gjithnjë, më lejoni të përsëris se Kosova nuk i ikë detyrimeve të saj, Kosova do të zbatojë secilin detyrim që është pajtuar si pjesë e këtij dialogu, përderisa e dina të gjithë se marrëveshja thotë se të gjitha nenet e saj janë njësojë të rëndësishme. Siç e dini komunat në Kosovë kanë të drejtë të mblidhen në Asociacione për të ndihmuar punën e tyre, por e gjithë kjo në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, si dhe qëndrimin e shkruar të qeverisë amerikane përmes zotëri Chollet dhe Escobar”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, dy senatorët amerikan kanë ofruar mbështetjen ndaj Kosovës, ndërkohë kërkuan nga Serbia që mos të pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Senatori Chris Murphy, ka thënë se aleanca e ShBA-ve me Kosovën është e fuqishme dhe jetike. Ai ka thënë se Serbia duhet të zbatojë marrëveshjen e fundit, por edhe Kosova të konkretizojë zotimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo aleancë, kjo marrëdhënie bilaterale është e fuqishme, qëndrueshme dhe është jetike. Kur ShBA-ja ka nevojë për ndihmë, thirrjet e para janë tek miqtë tanë në Kosovë. Nuk është rastësi që Kosova është ndër vendet e para që ngritët në këmbë dhe deklaron se agresioni i Vladimir Putinit nuk mund të pranohet dhe është bashkë me ShBA-në në njoftimin për sanksione. Po ashtu nuk është rastësi që kur ShBA-ja ka nevojë për t’i larguar aleatët nga Afganistani, Kosova ka treguar vetën duke ndihmuar. Nuk është rastësi që po e fillojmë udhëtimin tonë me partnerët tanë në Prishtinë. Po ashtu e çmojmë shumë vëmendjen që qeveria po ia kushton vëmendjen sundimit të ligjit dhe rritjes ekonomike…Na vjen mirë që po e shohim marrëveshjen e fundit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që përfshinë njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare, por edhe hapa të vështirë që duhet të ndërmerren nga dy palët. Serbia duhet të ndalojë të pengojë Kosovën për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Kosova ka marrë një përkushtim edhe t’iu lejuar komunave të bëhen bashkë në një Asociacion”, ka shtuar ai.

Mbështetje ndaj Kosovës ka deklaruar edhe senatori tjetër, Gary Peters.

“Marrëdhënia ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës është me të vërtet speciale, kam pasur privilegjin të udhëtojë në krejt botën, por nuk ma merr mendja që ka ndonjë vend tjetër në botë që ka një miqësisë më të fortë sesa e kemi këtu. E ndjejmë miqësinë që kemi këtu, e ndjejmë kur jemi këtu në rrugë tek njerëzit dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtë që kjo demokraci të jetë e fortë dhe fuqizohet edhe më tej…Do të vazhdojmë të shohim mundësitë për të forcuar mundësitë për sigurinë kibernetike, gjithashtu edhe për përmirësimin e marrëdhënieve të forcave ushtarake të ShBA-së për ndërveprueshmërinë me tërë Evropën”, ka theksuar ai.

Pas takimit me Osmanin, dy senatorët amerikanë do të takojnë edhe kryeministrin Albin Kurti.

Exit mobile version