Prej një jave, fëmijët në disa pjesë të Uttar Pradesh në Indi janë zgjuar me temperaturë të lartë, të njomur në djersë.
Shumë prej tyre ankohen për dhimbje të kyçeve, dhimbje koke, dehidratim dhe marramendje. Në disa raste, raportohet se një pjesë nga ta po përballen me skuqje në krahë dhe këmbë.
Të paktën 50 njerëz, kryesisht fëmijë, vdiqën nga ethet dhe disa qindra u shtruan në spital në gjashtë rrethe në Uttar Pradesh lindor. Të gjithë u testuan për COVID-19, por asnjë nga testet nuk ishte pozitiv.
Mjekët nga disa rrethe të prekura besojnë se shkaku kryesor i vdekjes është ethet e dengit, një infeksion viral që përhapet nga kafshimet e mushkonjave, sipas BBC.
Shumë pacientë të shtruar në spital thuhet se kishin numër të ulët të trombociteve, qeliza të gjakut që ndihmojnë në mpiksjen e gjakut, e cila është karakteristike për një formë më të rëndë të etheve të dengit.
“Pacientët, veçanërisht fëmijët, po vdesin shumë shpejt në spitale”, tha Nita Kulshresta, nga sistemi shëndetësor në rrethin Firozabad për BBC, ku 40 persona vdiqën javën e kaluar, përfshirë 32 fëmijë.
Ethet e dengit janë një sëmundje tropikale e transmetuar nga mushkonjat femra dhe ka qarkulluar në Indi për qindra vjet. Më shumë se 70 për qind e rasteve të dengit raportohen në Azi.
Ekzistojnë katër viruse të dengit, dhe vdekja nga infeksioni është pesë herë më e mundshme te fëmijët sesa tek të rriturit.