Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur ‘regjisor të skemës së korrupsionit të strukturuar në Kosovë’.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, deputeti Selmanaj iu bëri thirrje organeve të drejtësisë që mos të ndalen vetëm me Naser Hafizin.
“Duhet t’u bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të mos ndalen vetëm me Naser Hafizin. Naser Hafizi është instrument i realizimit të skemës të korrupsionit të strukturuar që Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur me aplikua në Kosovë. Vjedhja apo përfshirja në këtë mega skandal që prek 90 milionë euro borxhe dhe që është provuar që me disa qindra mija euro të mbyllen nuk është krejtë e rastësisht është skemë e organizuar kriminale dhe që nuk jam i bindur që këtu është i përfshirë drejtpërdrejtë Albin Kurti. Nuk ka asnjë mundësi që Liburn Aliu e Naser Hafizi t’i bëjnë këto pa lejen e Albin Kurtit sepse Albin Kurti ka qenë i informuar nga sinjalizuese me emaile dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim”, tha ai.
Tutje, Driton Selmanaj i LDK-së e ka quajtur kryeministrin Kurti regjisor të skemës së korrupsionit pasi siç tha ai Kurti ka qenë i informuar për të gjitha aferat.
“Zotëri Kurti është i informuar për aferën me Martin Berishën me tregtimin me energji, për Nagip Krasniqin, zotëri Kurti është në dijeni për ambalazhuesit e ujit, zotëri Kurti është në dijeni për rezerva shtetërore dhe në fakt ka vendosur që të dal të mbroj me ortodoksizëm këtu. Regjisori ose ndërtuesi i kësaj skeme të korrupsionit të strukturuar në Kosovë është vetë ai”, theksoi Selmanaj.
Deputeti i LDK-së tha se sistemi i vendimmarrjes është zëvendësuar me nivelin parapolitik, ku vendimet i merr Dejona Mihali.