Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Driton Selmanaj, ka zhvilluar sot një bisedë virtuale me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog dhe ambasadorët e BE-së në Kosovë rreth ri-organizimit të strukturave të ish Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM).
Selmanaj njoftoi ambasadorët për nënshkrimin e Rregullorës Nr. 01/2020 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Zyrën e Kryeministrit (ZKM) nga kryeministri Avdullah Hoti, si dhe përpilimin e organogramit të ri të Zyrës së Kryeministrit sipas së cilës strukturat organizative të ish Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) do të ruajnë strukturën e tyre të plotë dhe funksionet të cilat i kanë ushtruar deri tani me qëllim ruajtjen e njohurive dhe përvojës së zhvilluar ndër vite.
“Po ashtu theksova se zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) dhe Agjenda e Reformave Evropiane (ARE 2) janë tejet të rëndësishme për sigurimin e rrugës së Kosovës drejtë Integrimit Evropian duke vlerësuar edhe bashkëpunimin me Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) si parakusht i nevojshëm për zbatimin dhe monitorimin efektiv të reformave dhe Planit të Veprimit për ARE 2. Në fund të takimit shpreha pakënaqësinë e Qeverisë së Kosovës në lidhje me procesin e stërzgjatur të liberalizimit të vizave dhe vlerësova se një rezultat pozitiv lidhur me këtë proces do të hapte mundësitë për një qasje të ripërtrirë në zbatimin e të gjitha reformave të domosdoshme për Republikën e Kosovës”, njofton Selmanaj./UBTNews