Ish-ministri i Drejtësisë, njëherësh Shef i grupit Parlamentar të AAK-së, Selim Selimi, ka hedhur kritika në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë.
Selimi thotë se publikimi i shpenzimeve për të akuzuarit e Gjykatës Speciale, krijon dëmtim të parimit juridik të barazisë së armëve para arbitrit, Gjykatës.
Tutje nuk len pa përmendur edhe zëvendësministrin Blerim Sallahu, të cilin e quan Shef të Ministrisë, duke i bërë thirrje të dërgojë në prokurori edhe kontrata të tjera që ai i ka nënshkruar sepse vetëma shtu i bie në sy liderit.
Reagimi i plotë:
Mbi të gjitha duhet të jemi profesionistë e të ndërtojmë politika (policy) përtej politikës (politics).
Ministria e Drejtësisë duke mos pasur vizion e duke punuar me aparatçikë të revolucionit ushtron dhunë mbi sistemin duke bërë politikë ditore (politics) në vend se të ndërtojë politika (policy).
E di se do të bëjnë gjueti të shtrigave e do të krijojnë drama të panevojshme, por Kosova ka prodhuar kualitet të rezistencës.
Publikimi i shpenzimeve për të akuzuarit e Gjykatës Speciale, krijon dëmtim të parimit juridik të barazisë së armëve para arbitrit (Gjykatës).
Krijimi edhe i një komisioni për të bërë punën e njëjtë me komisionin e vetingut është abuzim i parasë publike për të njëjtin rezultat.
E informoj shefin e Ministrisë së Drejtësisë, aparatçikun që shërben si Zv.Ministër që t’i dërgojë edhe shumë kontrata tjera që i kam nënshkruar si Ministër në prokurori. Ndoshta atëherë do të tërheq mjaftueshëm vëmendjen e liderit e ndoshta atëherë lideri do t’ia rrahë lehtë supet e t’i thotë “aferim o trim”.