Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, në një konferecë për media ka folur për kufirin mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotimet e kryeministrit, Avdullah Hoti, në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Selimi ka akuzuar Hotin se e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me nënshkrimin e marrëveshjes në SHBA për pikën e kalimit kufitar me Serbinë.
Ai tha se kryeministri Hoti e ka zhbërë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
Siç tha Selimi, në marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri Hoti nuk përmendet fjala “Republikë dhe Kufij”.
“Në zotimet e fundit të Hotit ku janë trajtuar dhe temat: ndarja e Ujmanit, Mini-Shengeni, loja e diplomave dhe çertifikata, dalja e Serbisë në detin Adriatik është përfshirë edhe çëshjta e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Në vitin 2011 kishim një marrëveshje të IBM-së, ku palët i referoheshin ndryshe njëra-tjetrës. Ata që e përfaqësojnë Kosovën, i referoheshin si menaxhim i përbashkët i kufirit, ndërsa Serbia si vijë administrative mes Kosovës dhe Serbisë. LVV gjithmonë e ka bërë të qartë se interpretimi i IBM-së ishte hipokrizi dhe gënjeshtër. Qeveria edhe sot e trajton si pikë të përbashkët të kalimit. Hoti vuri nënshkrimin për mosnjohjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Në dokument nuk përmendet fjala ‘Republikë’ dhe fjala ‘kufi’. Sot Kosova ka tre lloj kufijsh. Me shtetet njohëse fqinje Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi. Tjetra është Kosovë – Serbi, dhe e treta i referohet si pikë e përbashkët e kalimit, që është ai Merdarës. Edhe njëherë Hoti na del të jetë shkelës i ligjit. Ku do të kishte vend më të përshtatshëm dhe të sigurt siç është Shtëpia e Bardhë që Hoti ta përmend fjalën ‘Republikë dhe kufi” , ka thënë Selimi. /Telegrafi/