Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Sylejman Selimi deklaroi se Adem Jashari ka qenë figura kryesore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm, por ka dhënë urdhra dhe është konsultuar me të. Ai sqaroi se Jashari ka pasur kontakte të vazhdueshme me Shtabin e Përgjithshëm dhe me grupe të ndryshme të UÇK-së.
Gjykatësi e ballafaqoi Selimin me një deklaratë të mëparshme ku ai kishte thënë se çdo veprim ishte i planifikuar nga Shtabi i Përgjithshëm, por dëshmitari qëndroi në pohimin e tij se Jashari ishte udhëheqësi kryesor i UÇK-së dhe pa të nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare.
Selimi mohoi të ketë raportuar ndonjëherë te Qeveria e Përkohshme e Kosovës gjatë kohës që ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe tha se nuk kishte kontakte me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm përveç Bislim Zyrapit.
Ai pohoi se të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë pasur kontakte me Adem Jasharin para luftës. Procesi gjyqësor kundër tyre po zhvillohet mbi akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm./UBTNews/