Një piceri në zemër të Napolit që u themelua nga një burrë i cili gatoi picë për presidentin amerikan, Bill Clinton, u sekuestrua nga policia pas një hetimi në lidhje me mafinë.
Pronari i Dal Presidente dhe gruaja e tij janë në mesin e pesë personave të arrestuar nën dyshimet se biznesi i tyre ka lidhje me klanin Contini të Camorras.
Piceria, në via Tribunali, u hap nga i ndjeri Ernesto Cacialli, i njohur si “picabërësi i presidentit” pasi përgatiti një pice a portafoglio, ose “picë portofol”, për Clinton në Di Matteo, ku ai punonte kur ish-presidenti i SHBA ishte në qytet për takimin e G7-së në vitin 1994. Clinton ishte duke vizituar qendrën historike të Napolit me shoqëruesit e tij të truprojave, kur thuhet se u josh te Di Matteo nga aroma e picës.
Cacialli, i cili fitoi disa çmime për prodhimin e picave, hapi Dal Presidente në vitin 2001, ku “shiste deri në 1 mijë pica në ditë” deri në vdekjen e tij në moshën 60-vjeçare, sipas faqes së internetit të La Figlia Del Presidente, një restorant në pronësi të vajzës së tij.
Blerja e Dal Presidente nga pronari i saj aktual dyshohet se u financua nga paratë e mbrojtjes, që erdhën nga një anëtar i shquar i klanit Contini. Edhe ky mafioz i dyshuar shprehu interes për biznesin, “nga stafi i pjekjes deri te zgjedhja e produkteve të përdorura për brumin”, raportoi Il Fatto Quotidiano.
Piceria, e njohur nga napolitanët dhe turistët, është ndër pasuritë me vlerë 35 milionë euro të sekuestruara nga policia në këtë hetim.
Shumica e klientëve të rregullt u befasuan nga sekuestrimi i lokalit.
“Kam ngrënë atje shumë herë, është një nga piceritë më të njohura në Napoli”, tha një klient, i cili kërkoi të mbetet anonim. “Pica ishte shumë e mirë, por dëgjova nga të tjerët se kishte diçka pak të çuditshme në lidhje me të… pastaj gjithçka u kuptua dje”.
Tre nga të dyshuarit janë burgosur ndërsa dy, duke përfshirë një oficer policie, janë në arrest shtëpiak. Ata përballen me akuza për transferime mashtruese të aseteve dhe pastrim parash./UBTNews/