Policia në Gjilan në koordinim me organet e drejtësisë, ka kryer kontrolle në tri lokacione, ku ka gjetur dhe sekuestruar 100.2 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, dy vetura, 2 mijë e 270 euro dhe 30 franga zvicerane.
Policia ka njoftuar se hetuesit policorë nga Njësia e Gjilanit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), në bashkëpunim me Njësinë e DHTN Prishtinë dhe njësi tjera policore (NjSO e K9), kanë zbatuar një plan operativ të koduar ‘Shpërndarësi 3’.
“Lokacionet e kontrolluara janë pronë e të dyshuarve: S.L., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1981), R.R., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1989), A.R., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1995) dhe K.L., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1994). Ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’. Të dyshuarit janë intervistuar dhe me aktvendim nga prokuroria janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.