UBT News

Sekuestrohen pistoleta, thika dhe drogë

Policia e Kosovës ka zhvilluar një sërë aksionesh gjatë 29 korrikut në disa komuna të vendit, ku janë arrestuar disa persona të dyshuar për posedim të paautorizuar të armëve, përdorim të armëve të zjarrit dhe posedim të substancave narkotike.

Në Prishtinë, një person u arrestua pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi e vogël e substancës narkotike dhe dy thika. Me vendim të prokurorit ai u dërgua në mbajtje.

Në Podujevë, dy persona u arrestuan pasi policia u gjeti 18.22 gramë substancë narkotike, një thikë, një peshore, dy bluarës, dy pako me letra dhe tre telefona. Pas intervistimit, njëri prej tyre u dërgua në mbajtje, ndërsa tjetri u lirua në procedurë të rregullt.

Po në Podujevë, në fshatin Kerpimeh, pas raportimit për të shtëna me armë në një aheng familjar, policia sekuestroi një revole me mulli, dy pistoleta – njëra me gaz – dhe gjashtë fishekë. Tre persona u arrestuan, por më pas u liruan në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në Obiliq, gjatë kontrollit në një shtëpi u gjet dhe u konfiskua një armë automatike AK-47 me një karikator pa fishekë, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Raste të tjera të përdorimit dhe posedimit të paautorizuar të armëve u regjistruan edhe në Shtime, Prizren, Gjakovë, Vushtrri dhe Skenderaj. Në disa prej rasteve u sekuestruan pistoleta, armë automatike AK-47, fishekë dhe armë me gaz, ndërsa disa të dyshuar u dërguan në mbajtje, kurse të tjerë u liruan në procedurë të rregullt.

Në Vushtrri, policia po heton një rast të rëndë, ku një person dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture me tre punëtorë të KRU Mitrovica, të cilët kishin shkuar për ta shkyçur nga rrjeti i ujësjellësit. Sipas raportit, i dyshuari i ka kanosur dhe ofenduar punëtorët para se të largohej nga vendi i ngjarjes.

Të gjitha rastet janë duke u trajtuar nga njësitet përkatëse policore në koordinim me prokuroritë kompetente.

D.L

Exit mobile version