UBT News

Sekuestrohen pesë vetura në Vushtrri, dyshohet për falsifikim dokumentesh gjatë importit nga Koreja e Jugut

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, ka realizuar kontrolle në disa lokacione në Vushtrri, në kuadër të një hetimi për falsifikim dokumentesh gjatë importimit dhe zhdoganimit të automjeteve.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente publike të falsifikuara gjatë procedurave për importimin e automjeteve nga Koreja e Jugut.

Hetimet kanë zbuluar dyshimet se në librezat koreane të automjeteve është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që veturat të paraqiteshin si më të reja dhe të plotësonin kushtet ligjore për import në Kosovë.

Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara janë përdorur gjatë zhdoganimit të pesë automjeteve, për të cilat janë lëshuar deklarata doganore me të dhëna të pasakta.

Prokuroria ka bërë të ditur se pesë veturat janë sekuestruar, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Doganën dhe Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rastit./A.K/

Exit mobile version