UBT News

Sekuestrohen mbi 33 mijë euro mallra në Vërmicë, ndalohet personi i dyshuar

Në Pikë Kalimin Kufitar Vërmicë, zyrtarët e Dogana e Kosovës kanë sekuestruar mallra në vlerë mbi 33 mijë euro dhe kanë ndaluar një person të dyshuar për shmangie nga detyrimet doganore.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë ushtrimit të detyrës, Njësia e Antikontrabandës ka identifikuar një automjet që nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe është larguar nga pika e kontrollit.

Pas reagimit të menjëhershëm operacional, zyrtarët doganorë i janë vënë në ndjekje automjetit dhe kanë arritur ta ndalojnë atë në autostradë. Më pas, automjeti është kthyer nën përcjellje në PKK Vërmicë për kontroll të detajuar.

Gjatë kontrollit është konstatuar se automjeti transportonte dërgesa postare të destinuara për blerës në Kosovë dhe në Maqedonia e Veriut.

Pas numërimit dhe verifikimit, është konstatuar se në automjet ndodheshin: 233 pako, 1,376 njësi mallrash të ndryshme, vlera e përgjithshme e mallit: 33,810.98 euro, shmangie nga detyrimet doganore: 10,075.67 euro.

Malli i sekuestruar përfshinte artikuj tekstili, këpucë, produkte kozmetike, aksesorë, produkte ushqimore dhe mallra të tjera konsumi.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore të Doganës së Kosovës dhe, me urdhër të Prokurorit kompetent, është iniciuar rast për vepër penale.

I gjithë malli është sekuestruar dhe evidentuar sipas procedurave ligjore, ndërsa automjeti është konfiskuar përkohësisht dhe dërguar në hapësirat zyrtare të Doganës.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore, me qëllim mbrojtjen e rendit ekonomik dhe sigurisë së tregut.

 

Exit mobile version