Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe substanca narkotike në disa aksione të zhvilluara në Graqanicë, Ferizaj dhe Vushtrri.
Në Graqanicë, gjatë një tentimi për kontroll policor, një i dyshuar është larguar duke ikur nëpër oborre shtëpish dhe duke hedhur sende gjatë arratisjes. Në vendngjarje, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një fishek, si dhe një sasi të vogël të substancës së dyshuar narkotike. I dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Ferizaj, njësitë policore kanë identifikuar një person të dyshuar për shitblerje të narkotikëve, i cili është larguar me veturë sapo ka vërejtur policinë. Në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar 188.9 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, me vlerë rreth 2 mijë euro. I dyshuari është në kërkim policor dhe hetimet po vazhdojnë.
Në Vushtrri, është arrestuar një person tek i cili është gjetur një armë e gjatë M48 me tre fishekë. Arma është sekuestruar, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
