Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste që lidhen me përdorimin dhe posedimin e paautorizuar të armëve, si dhe një rast të therjes me thikë, të regjistruara gjatë dy ditëve të fundit në disa komuna të vendit.
Në fshatin Shtedim të Podujevës, pas një informate për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz. Një i dyshuar është arrestuar, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, një qytetar ka raportuar se një predhë e armës së zjarrit ka goditur derën hyrëse të shtëpisë së tij. Predha është sekuestruar nga policia, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Po në kryeqytet, është arrestuar një i mitur, i dyshuar se ka therur me thikë një person. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.
Një tjetër rast është raportuar në fshatin Petrovë të Shtimes, ku pas raportimeve për të shtëna me armë në një aheng familjar, policia ka ndërhyrë dhe i dyshuari ka dorëzuar vullnetarisht një pistoletë me dy fishekë. Rasti është iniciuar dhe po hetohet në procedurë të rregullt.
Po në Shtime, në rrugën “Fazli Grajqevci”, policia ka arrestuar një person të dyshuar se kishte shtënë me armë zjarri. Ai ka dorëzuar vullnetarisht një pistoletë me gaz pa fishekë dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Në fshatin Korishë të Prizrenit, gjatë veprimeve hetimore në lidhje me një rast, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz në stallën e një të dyshuari. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Ndërkohë, në Gjakovë, policia ka ndaluar një automjet, ku gjatë kontrollit ka gjetur një pistoletë dhe shtatë fishekë. Shoferi rezultoi të ishte nën ndikimin e alkoolit. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për të gjitha rastet janë duke vazhduar në koordinim me prokuroritë kompetente.
D.L
