Policia e Shtetit ka informuar sot se dy raste të paligjshme janë goditur në kufi. Në rastin e parë, dy shtetase, nënë e bijë janë proceduar penalisht pasi janë kapur me nga 20 mijë euro të fshehura në trup, me qëllim mosdeklarimin konform ligjeve në fuqi.
Ndërsa, në rastin e dytë, është proceduar penalisht një 35-vjeçare pasi ka tentuar që të dalë nga Shqipëria, bashkë me djalin e saj të mitur, me dokument të dyshuar fals.
“U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset S. S., 66 vjeçe dhe E. K., 43 vjeçe (nënë e bijë), të dyja banuese në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve fizike, shërbimet e Policisë i gjetën secilës prej tyre nga 20 000 euro të fshehura në trup, me qëllim mosdeklarimin konform ligjeve në fuqi. U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. H., 35 vjeçe, banuese në Dibër, pasi gjatë kryerjes se procedurave në aeroportin e Rinasit, teksa udhëtonte së bashku me djalin e saj 16-vjeçar, ka paraqitur një dokument (deklaratë noteriale) të dyshuar të falsifikuar”, ka bërë të ditur Policia.
Shuma 40 mijë euro dhe dokumenti i dyshuar fals janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.