Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik që janë të punësuar nga sektori privat, por punojnë në institucione publike, kanë kërkuar që të paguhen bazuar në koeficientin që është caktuar nga Qeveria për punëtorët teknikë dhe të sigurimit që janë të punësuar nga sektori publik.
Kryetari i Federatës Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi, me një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar që punëtorët teknikë dhe të sigurimit që kryejnë shërbime për institucionet publike të paguhen bazuar në koeficientin që për ta është caktuar në Ligjin e pagave dhe vlerën e koeficienti të cilën Qeveria e ka miratuar të mërkurën.
“Pas caktimit të vlerës së koeficientit për Ligjin e pagës, ne Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), pa hy në analiza se a është vlerë e mjaftueshme, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet tona publike që ne kryejmë shërbime për ju, si për shembull, punëtorë teknikë dhe ata të sigurimeve fizike, në spitale, ambulanca, qendra të mjekësive familjare, ministri, fakultete, shkolla fillore dhe të mesme, që pagat tona të jenë konform koeficientit që ju e keni përcaktuar, pasi që ne kryejmë shërbime për sektorin publik”, thuhet në letrën dërguar Kurtit e Muratit.