UBT News

Sekretet natyrale për të luftuar kollën tek fëmijët

Edhe pse kollitjet nuk duhet lënë pa u trajtuar, se përkeqësohen ose shkaktojnë shqetësime të mëtejshme, ekzistojnë disa ilaçe shtëpiake natyrale që mund të ndihmojnë në lehtësimin e tyre dhe në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve.

Mjalti

Njihet për vetitë antibakteriale e qetësuese, ndaj konsiderohet një alternativë e mirë natyrale për lehtësimin e kollës. Për fëmijët, mund të përgatitet një solucion: dy lugë gjelle mjaltë të tretura në një gotë qumësht të ngrohtë. Ky kombinim ndihmon në qetësimin e fytit dhe përmirëson gjumin. Për rezultate më të mira, rekomandohet që fëmijët ta pinë këtë përzierje çdo mbrëmje para gjumit për pesë ditë rresht.

Banja e ngrohtë

Një banjë ndihmon fëmijët të djersijnë dhe të pastrojnë rrugët e frymëmarrjes, duke lehtësuar simptomat e kollës dhe ngushtimin e hundës. Banjat e ngrohta bëhen dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe për të relaksuar fëmijët.

Hidratimi i duhur

Uji është një nga mjetet më të thjeshta, por efektive për lehtësimin e kollës tek fëmijët. Ai mban fytin të lagur e ndihmon në hollimin e sekrecioneve, duke lehtësuar gulçimin. Fëmijët duhet të pinë rreth 6–8 gota ujë në ditë, sipas moshës së tyre. Përveç ujit, çajrat e ngrohtë, sidomos çaji me xhinxher ose me kamomil, mund të qetësojnë fytin dhe të ndihmojnë në reduktimin e kollës.

Këshilla shtesë:

Mbani ajrin e dhomës së fëmijëve të lagësht, sidomos gjatë dimrit ose kur përdoret ngrohja. Një lagështues ajri mund të ndihmojë shumë.

Shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit ose ndotjes së ajrit, pasi ato irritojnë fytin dhe e përkeqësojnë kollën.

Sigurohuni që fëmija të pushojë mjaftueshëm dhe të marrë ushqim të shëndetshëm, i cili forcon sistemin imunitar.

Me këto metoda natyrale e kujdes të thjeshtë në shtëpi, kollitja e fëmijëve mund të lehtësohet ndjeshëm. Nëse kollitja zgjat më shumë se një javë, shoqërohet me temperaturë të lartë, vështirësi në frymëmarrje, duhet të kontaktoni menjëherë mjekun pediatër. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version