Ndërsa afrohen muajt e ftohtë, tharja e çarçafëve brenda shtëpisë shpesh kthehet në sfidë.
Edhe pse mund të përfitoni nga një ditë me diell dhe erë për t’i tharë jashtë, shumica e njerëzve preferojnë t’i vendosin në tharëse rrobash.
Për shkak të faturave të larta të energjisë, familjet përpiqen të shmangin përdorimin e tharëses elektrike, gjë që bën që çarçafët të marrin shumë kohë për t’u tharë plotësisht. Eksperti i gjumit Martin Seeley, ka ndarë disa këshilla për t’i tharë çarçafët shpejt pa shpenzuar energji.
Lani çarçafët në mëngjes
“Lani në mëngjes, që të kenë gjithë ditën për t’u tharë” – këshillon Seeley. “Nëse i lani në mbrëmje, ajri më i ftohtë ngadalëson tharjen.”
Prandaj, është më mirë t’i lani para mesditës për të përfituar nga ngrohtësia dhe qarkullimi më i mirë i ajrit gjatë ditës.
Përdorni ciklin shtesë të shtrydhjes
Një shtrydhje shtesë në lavatriçe mund të largojë deri 30% më shumë ujë, duke përshpejtuar ndjeshëm procesin e tharjes.
Tundini çarçafët para se t’i varni
Para se t’i varni, tundini mirë çarçafët. Kjo ndihmon që fijet të ndahen dhe ajri të qarkullojë më lehtë, duke parandaluar grumbullimin e lagështisë dhe aromat e pakëndshme.
Provoni “trukun me peshqir”
Seeley tha: “Vendosni një peshqir të thatë mbi një sipërfaqe, shtroni sipër tij çarçafin e lagur e rrotulloni bashkë si ‘Swiss roll’. Shtypni pak mbi të që peshqiri të përthithë ujin.” Më pas hapeni dhe vareni pranë një vendi të ngrohtë ose me qarkullim ajri – kjo metodë është e dobishme në ditët e ftohta e me lagështi.
Zgjidhni materiale që thahen shpejt
Për muajt e dimrit, preferoni çarçafë prej bambuje, mikrofibre ose përzierje polikoton, pasi janë më të lehta e thahen më shpejt se pambuku klasik, të përshtatshme nëse doni t’i lani dhe t’i përdorni po atë ditë. /A.Z/UBT News/
