Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, viziton sot Sarajevën, në një periudhë tensioni të lartë politik në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH), pas dënimit të Milorad Dodik, presidentit të entitetit Republika Srpska, nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës. Vizita e tij vjen në një moment kritik, pasi vendimi i gjykatës ka shkaktuar përplasje politike dhe juridike.
Programi i vizitës përfshin takime me anëtarët e Presidencës së BiH, Kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo, Ministrin e Punëve të Jashtme, Elmedin Konakoviq, Ministrin e Mbrojtjes, Zukan Helez, dhe Ministrin në detyrë të Sigurisë. Rutte do të vizitojë gjithashtu selinë e NATO-s në Sarajevë, ku do të takohet me Komandantin e NHQSa-së dhe Përfaqësuesin e Lartë për BiH, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Një pjesë e vizitës do të përfshijë një takim me studentë nga Universiteti i Sarajevës, përpara se Rutte të udhëtojë për në Prishtinë. Kjo vizitë është një shenjë e mbështetjes së vazhdueshme të NATO-s për stabilitetin dhe sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, sidomos pas krizës politike që ka shpërthyer pas dënimit të Dodik. Ai përballet me akuza për mosbindje ndaj vendimeve ndërkombëtare dhe për ndërhyrje në institucionet gjyqësore të BiH, ndërkohë që RS ka miratuar ligje që pengojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës.
NATO ka riafirmuar angazhimin e saj për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe ka theksuar mbështetjen e saj për një Bosnjë dhe Hercegovinë të qëndrueshme dhe të sigurt, si dhe për një Ballkan Perëndimor paqësor./UBTNews/