Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi se një Ballkan Perëndimor i qetë dhe i qëndrueshëm mbetet një prej prioriteteve kryesore të aleancës. Rutte e bëri këtë deklaratë gjatë fjalës së tij në Samitin dyditor që po mbahet në Bruksel, ku shpjegoi angazhimin e NATO-s për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Një nga çështjet që jemi të fokusuar të gjithë është stabiliteti i Ballkanit Perëndimor. Siç e dini, kam qenë së fundmi në Sarajevë dhe Prishtinë, ku kam zhvilluar diskutime edhe me presidentin e Serbisë këtu në Bruksel”, deklaroi Rutte, duke shtuar se NATO ka pasur gjithmonë një angazhim të fortë për sigurinë dhe paqen në rajon.
Sekretari i Përgjithshëm theksoi se aleanca do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të siguruar një Ballkan të stabilizuar dhe të sigurt. “Ne si NATO jemi goxha të involvuar dhe duam të sigurohemi që Ballkani Perëndimor të jetë i qëndrueshëm dhe i sigurt,” shtoi Rutte.
Për më tepër, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me pesë aleatët e NATO-s nga Ballkani Perëndimor: Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria. Këto shtete, si anëtarë të aleancës, luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të arritur paqen dhe stabilitetin në rajon.
Përfundimisht, deklarata e Rutte shërben si një kujtesë e angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s për të mbështetur proceset e integrimit dhe për të ndihmuar në sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të sigurt për Ballkanin Perëndimor./UBTNews/