Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se nuk ka parë “Non-papers” rreth ndryshimit në kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Ai në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se çdo spekulim rreth ndryshimit të kufijve vetëm do të shtojë pasigurinë dhe se sipas tij rreziku krijon paqëndrueshmëri në rajon, njofton Klan Kosova.
“ Kështu që mendoj se çdo spekulim në lidhje me këtë nuk është i dobishëm. Ajo që ka rëndësi për NATO-n është që stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor është e rëndësishme për sigurinë e rajonit, por gjithashtu e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Dhe për këtë arsye, NATO mbështet fuqimisht stabilitetin në rajon, në mënyra të ndryshme, duke punuar ngushtë me partnerët në rajon, por edhe përmes politikës sonë të dyerve të hapura”.
“ Duhet të kujtojmë se ka shumë aleatë të NATO-s në rajon. Dhe gjatë viteve të fundit, NATO ka pasur privilegjin të mirëpresë dy vende të tjera në rajon si anëtare të plota të të gjithë Aleancës. Së pari Mali i Zi dhe vitin e kaluar Maqedonia e Veriut. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë për paqen dhe stabilitetin me partnerët tanë në rajon, natyrisht, me anëtarët tanë në rajon, dhe dialogu konstruktiv dhe respektimi i vazhdueshëm i kufijve të njohur ndërkombëtarisht është mënyra më e mirë përpara për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, tha ai, njofton Klan Kosova.