UBT News

Sekretari britanik i Mbrojtjes: ISIS ka nisur të thurë operacione, rrezik për sulme të tjera

Kërcënimet për atentate të mëtejshme në aeroportin e Kabulit do të rriten teksa trupat perëndimore po i afrohen përfundimit të procesit të evakuimit.

Deklarata është bërë nga sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, i cili ka nënvizuar se misioni britanik do të përfundojë brenda pak orësh dhe ka shtuar se jo të gjithë afganët do të mund të largohen nga vendi i tyre.

“Ndodhi ajo që kishim parashikuar. ISIS ka nisur të thurë operacione, që për fat të keq i pamë një ditë më parë. Por, mund të ketë armiq të tjerë, apo grupe të tjera terroriste që do të duan të na sulmojnë. Ndaj situata do të jetë më e paqëndrueshme teksa ne po shkojmë drejt fundit të evakuimit dhe trupat tona janë në alarm pasi rreziku është maksimal, bashkë me krizën humanitare”, u shpreh ai.

I pyetur se si historia do ta kujtojë përfshirjen e Perëndimit në këtë konflikt, Wallace theksoi se Afganistani nuk është një vend ku problemet mund të zgjidhen brenda pak vitesh.

“Perëndimi mendon se mund të shkojë atje, të bëjë disa gjëra dhe gjithçka do të rregullohet. Por nuk mund t’i zgjidhësh problemet në një vend si Afganistani, ku luftërat tribale zgjasin prej mijëra vjetësh”, tha Wallace.

Ai shtoi se, nëse dëshiron të angazhohesh në ndërtimin apo mbështetjen e një vendi, kjo duhet bërë përmes organizmave ndërkombëtarë.

“Dhe në të tilla raste duhet të jesh i përgatitur për të qëndruar gjatë”, shtoi Wallace./euronews.al

Exit mobile version